Daja: Duke shpresuar që edhe në seancën e fundit stërvitore të mos kemi dëmtime, të gjithë kontigjentin e kemi në dispozicion , përfshirë edhe Esat Malën për ndeshjen e nesërme ndaj Kastriotit.

Paraqitja ndaj Bylis?

Daja: Ndeshjen me Bylisin kemi qenë në lartësinë e duhur në të gjitha komponentët. Besoj që ajo që ka qenë evidente në këtë ndeshje në raport me ndeshjet e tjera ka qenë që ekipi ka bashkëpunuar në grup dhe kanë qenë altruist për njëri-tjetri dhe kjo ka të bëjë me përgjegjësinë që kanë të gjithë lojtarët për të marrë rezultatin. Pozitiv ka qenë edhe fakti që të tre sulmuesit të cilët e nisën takimin titullar kanë gjetur golin . Besoj që në të njëjtën frymë , në të njëjtën mënyrë loje dhe me të njëjtin bashkëpunim duhet të kemi edhe nesër ndaj Kastriotit për të shkuar te fitorja.

Ndeshja me Kastriotin?

Daja: Në tre përballjet me Kastriotin kemi 2 fitore dhe një humbje në fillim të kampionatit që do të thotë se ndeshjet nuk janë të lehta. Po të shikojmë edhe tabelën e klasifikimit golat e shënuar dhe të pësuar dhe Kastrioti në pesëshen e fundit ka gola më pak të shënuar nga të gjitha ekipet e tjera. Ne na del për detyrë që të mos e ulim dozën e motivimit sepse në disa përballje me disa ekipe të pozicionuara edhe më poshtë se Kastrioti kemi patur problem. Nuk mendojmë që kemi një ndeshje të lehtë pasi edhe Kastrioti kërkon të marrë pikë dhe të siguroj mesin e artë në fund të kampionatit. Mendoj që duhet të jemi ne ata që duhet të drejtojmë lojën me Kastriotin ,duhet të imponohemi në fushën e lojës duhet të bëjmë atë që bëmë në ndeshjen e fundit kundër Bylis.
Koha për të parë Ferhan Hasanin titullar?
Daja: Një nga parimet e stërvitshmërisë është vazhdimësia. Sigurisht që Hasani është vlerë në ekipin tonë , por Hasani do të filloj të luaj titullar në momentin kur ne mendojmë se me gjendjen fizike që ka mund të mbulojë më shumë se 2/3 e lojës, gjë të cilën për momentin nuk e disponon. Përtej kësaj ne nuk mundemi të bëjmë asnjë hap fals ,duke provuar për të ndryshuar qoftë edhe për Hasanin. Mendoj se do të japë kontributin e tij shumë të vlefshëm për aq minuta sa disponon edhe gjendjen fizike në momentin që flasim.