Do të jetë një ndeshje e vështirë , dhe jemi  tërësisht të përqëndruar tek Kastrioti, nuk duam të na ndodhë ndonjë surprizë e pakëndëshme ndaj dhe po  përgatisim këtë takim si të gjitha ndeshjet e tjera me të njëjtin profesionalizëm dhe përkushtim, duke i dhënë respektin maksimal kundërshtarit .  Jemi Partizani dhe e dimë mjaft mirë që të gjitha ekipet japin më të mirën ndaj nesh , duhet të bëjmë maksimumin në fushën e lojës dhe jemi përgatitur për të gjitha vështirësitë që mund të hasim në këtë përballje. Unë shpresoj që të dhurojmë të njëjtën performancë si  në ndeshjen ndaj Kukësit , të krijojmë shumë raste , një lojë të bukur dhe sigurisht të arkivojmë 3 pikët e radhës. Do ti kërkoja tifozerisë tonë të vijë në stadium, do të luajmë në impjantin tjetër të kryeqytetit dhe jo në “Qemal Stafa” dhe për këtë arsye duhet të kemi një atmosferë shumë të zjarrtë ,pasi me këtë fitore do të jemi gjithnjë e më pranë pjesmarrjes në Europë. Ndaj do t’ju kërkoj të gjithë mbështetësve tanë  të jenë të pranishëm më herët në stadium për të përkrahur lojtarët që në momentin që do të dalin në nxehjen e zakonshme përpara takimit. Për një mbështetje sa më të fuqishme do të kërkoja që në stadiumin bardhle blu  “Selman Stërmasi” të mbizotërojë ngjyra e kuqe . Ndaj të gjithë ata që do të vijnë në stadium të mbajnë veshur një fanellë  të kuqe. Le të bëjmë historinë së bashku dhe ta rikthejmë Partizanin në kohërat e arta.

Seanca e radhës stërvitore

Edhe përgjatë ditës së enjte skuadra ka vijuar përgatitjet në terrenin e stadiumit “Selman Stërmasi“ .Përgjatë seancës stërvitore grupi i plotë i lojtarëve ka zhvilluar ushtrime taktike me topin ndërkohë që më pas traineri Marcio Sampaio ka aplikuar edhe disa skema  të cilat i përshtaten lojës që skuadra do të zhvillojë të shtunën ndaj Kastriotit. Sërisht një stërvitje e diferencuar për rreth 30 minuta  është kryer me portierët nga traineri Perlat Musta dhe më pas ata i janë bashkuar grupit duke marrë pjesë në programin e detajuar që ekipi ka kryer përgjatë kësaj séance. I pranishëm në stërvitjen e sotme ka qenë edhe presidenti Demi i cili ka ndjekur nga afër përgatitjet e skuadrës. Përgjatë ditës së sotme traineri Marcio Sampaio ka qenë i pranishëm në fushën sportive të “OLIMPIK” në Yrshek teksa ka ndjekur takimin e ekipeve U 19 Partizani – Skëndërbeu, i cili përfundoi me fitoren e të kuqve 2 – 0 .

 

Zyra për Shtyp