STAROVA: TE GRUMBULLOJME ME SHUME PIKE SE KUNDERSHTARET. TIFOZET TE NA QENDROJNE PRANE, ATA JANE LOJTARI YNE I 12-të

Starova: Falënderoj presidentin Demi dhe gjithë kryesinë e klubit që menduan që vazhdimësinë e punës të ma besojnë mua. Kjo është një kënaqësi dhe respekt, por edhe një detyrim i madh siç është legjenda e Partizanit. Fillojmë një kampionat me tre faza ditën e mërkurë. Ojektivi është të grumbullojmë më tepër pikë se të gjithë, duke filluar nga Skënderbeu që udhëheq me meritë kampionatin. Kemi tre ndeshje që duhet të grumbullojmë më shumë pikë se ato, po kështu me radhë Kukësi i vendit të dytë dhe të tjerët. Na duhet të jemi akoma më të bashkuar, i bëj thirrje dhe tifozërisë që nuk duhet të mërziten, ose të kalojë mërzitja sa më shpejt, në mënyrë që parulla që nuk e lënë skuadrën asnjëherë vetëm të bëhet realitet. Deri tani nuk ka munguar asgjë sa i përket përkrahjes gjatë 90 minutave, por lojtarët që të japin maksimumin duhet të kenë përkrahjen e tifozëve.

A ka besim te grupi?

Starova: I kemi të gjitha mundësitë që të realizojmë objektivin që iu thashë me këtë grup që kemi. Nuk ka gjë për të fshehur që skuadra do përforcohet në janar. Por në harkun e tre fazave duhet të jemi të durueshëm. Kthesa nuk bëhet në mënyrë rrënjësore. Kemi një kampionat me tre faza dhe duhet të marrim pikë më shumë se rivalët. Kjo do na ngjitë lart në shkallët e tabelës dhe do na afrojë me ato objektiva madhore që ka Partizani.

Cila është rruga për të ndryshuar situatën?

Starova: Unë me besim te skuadra dhe skuadra me besim tek unë, kjo është rruga për të kthyer aty ku duhet.

Cilat do të jenë objektivat?

Starova: Kryesorja është Kupa, ndërsa tjetra nuk nxitoj të them por duhet të fitojmë më shumë se kundërshtari këto tre faza, por nuk mund ta përcaktoj deri ku mund të shkojmë. Shpresojmë sa më lart në kampionat.

Kritikat e bëra për Iulianon dhe Moxhin?

Starova: Nuk më intereson se çfarë thonë të tjerët. Iuliano jam i bindur që është trajner i mirë. Ka pasur eksperiencë fantastike si lojtar, por mosrezultatet e Iulianos, nuk është i pari ai, të gjithë të huajt që vijnë në Shqipëri nuk kanë kohën e duhur për të njohur futbollin shqiptar. Kjo është arsyeja që ai nuk pati rezultatet e duhura.
Skuadra është stërvitur mirë, me disiplinë, ndryshe nga zërat që thonë të kundërtën. Unë nuk vij nga jashtë, jam i klubit, dhe nuk ka ndarje në grupe në skuadër. Mungesa e rezultateve amplifikon shumë gjëra që nuk ekzistojnë. Kam fjalët më të mira për Iulianon, por edhe për Moxhin që ishte kryesori që më kishte mua kandidaturë të vetme. Kritikat e mia të mëparshme e kanë bërë ikonën e futbollit botëror që të punojë në këtë mënyrë kur gabon, se nuk ka gabuar vetëm ai, është bërë sistem zinxhir. Nuk jemi të kënaqur nga afrimet që janë bërë sepse vjet ishim de facto skuadra kampione, de jure jo për arsye që i kam thënë 100 herë dhe treçereku i ekipit këtu ishin më të mirët vjet. Nuk i zëvendësuam në nivelin e duhur të larguarit. Tani të bëjmë më të mirën.

Arsyeja e kthimit në detyrë?

Starova: Kthimi te Partizani është detyrim për mua sepse jam brenda klubit. Kam pasur disa pozicione në klub dhe të gjithë jemi kryesia e klubit.

Ç’do ndodhë me lojtarët që keni kritikuar?

Starova: Doni që të them shumë gjëra por nuk kam shumë kohë tani sepse fillon stërvitja. Do i shohim rrugës ata lojtarë. Përgjigja dihet, kush vesh fanellën e Partizanit ka për detyrë të stërvitet të japë maksimumin. Të gjithë duhet të jenë të gatshëm për formacion, për stol. Do ketë që do shkojnë në tribunë, si çdo skuadër normale. Kemi kampionat të ri pa fazën e parë, lojtarët ta harrojnë fazën e parë. Të bashkuar do e kalojmë këtë situatë në mënyrë urgjente.