PREZANTIMI STENIO XHUNIOR DHE VALENTINO MURATAJ

FK Partizani prezantoi sot në ambientet e klubit dy afrimet e para të merkatos së janarit, Stenio Xhunior dhe Valentino Murataj. Sulmuesi brazilian sezonin e fundit ishte pjesë e ekipit Riga të Letonisë. Valentino Murataj i cili është produkt i Akademisë së klubit, rikthehet në familjen e kuqe pas eksperiencave te Dinamo dhe Bylis. Xhunior dhe Murataj tashmë do të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Skënderbeut. Dy lojtarët janë prezantuar nga Drejtori i Përgjithshëm Olsi Rama.

O.Rama: Ja ku arritëm të prezantojmë dy lojtarë të rinj te Partizani. Ka patur interes të madh. Është bërë një punë shumë e mirë me stafin. Murataj është një njohje e vjetër e juaja dhe e Partizanit, se është rritur këtu. Ishte dështirë e trajnerit Daja. E kthyem në familje për të shtuar kualitetin cilësinë, agresivetin që ka shprehur dhe në Ballsh. Ishte një marrëveshje e arritur me Bylisin. Jemi të kënaqur dhe janë të mirëseardhur  në familje tonë.

Stenio Zhunior, po ta themi emrin e plotë të tij,  mbaron kampionati. Ka pasur një karrierë shumë të mirë te Shkëndija. Ka ndërhyrë dhe përvoja e Pollozhanit te Shkëndija. Kur doli i lirë te Shkëndija, ishte i mirëpritur te ne. Ishte zgjedhja jonë e parë, se kanë dalë barcaleta nëpër media që ka patur konkurencë mes klubeve për të. E kam parë kur luante te Shkëndija, në kohën kur s’isha pjesë e Partizanit. Shkëndija ka bërë mirë në Maqedoni, ka shkruar histori. Zhunior i bashkohet ‘kolonisë’ së vogël braziliane me Melon dhe Kardozon.

Merkato?

O.Rama:Po bisedojmë me lojtarë të ndryshëm. Nuk ka gjë konkrete, vetëm bisedime. Stafi po punon shumë me Dajën. Është zgjedhja e stafit para meje. Bëj analizën se çfarë stafi më jep dhe për gjendjen financiare. Presim dhe elementë të tjerë. Nuk duam t’i lëmë gjërat për në 31 janar. Duam ta kemi ekipin sa më të përgatitur dhe sa më shpejt.

Ofertat për Kardozo, Solomon dhe Asani?

O.Rama: Më besoni, ka goxha interes në këtë drejtim nga shumë ekipe për 3 lojtarët tanë. Primare është Partizani. Para se të bëjmë largime, do bëjmë afrime. Në momentin që do identifikojmë elementë me kosto, do pranojmë sakrifica. Prioritet kemi dhe Partizanin B, mund të bëhen pjesë e ekipit të parë nëse bëjnë mirë në Kategorinë e Parë. Çdo lojtar është i nevojshëm, asnjë s’është i domosdoshëm. Në këtë moment, do të bëjmë analizë në planin tekniko-taktit, jo vetëm financiar.

PRONONCIMI I MESFUSHORIT VALENTINO MURATAJ

V.Murataj: Normalisht që është një ndjesi e veçantë të kthehem te Partizani, pasi kam qenë te moshat në të shkuarën. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij projekti të ri. Ndjehem shumë i vlerësuar që stafi dhe presidenca kanë bërë të mundur këtë transferim. Shpresoj t’ia dal me sukses dhe të shkojmë drejt objektivave që ka klubi.

Normalisht unë kam pasur dëshirë që në fëmijëri të jem pjesë e Partizanit, në ekipin e parë. Duke ditur që Partizani është një nga klubet më të mëdha në Shqipëri është shumë e vështirë nga moshat ta bësh atë hapin e madh. Tani kam eksperiencën e duhur që ta përballoj këtë stemë dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e Partizanit.

Konkurrenca?

V.Murataj: Nuk i trembem, pasi çdo lojtar ka rëndësinë e vet në ekip. Konkurrenca i bën shumë mirë skuadrës. Nëse nuk ka konkurrencë ekipi nuk mund të kthehet si përpara. Jemi një grup lojtarësh të rinj dhe njihemi. Madje i falënderoj çunat dhe stafin që më kanë mbështetur në këto ditë të para për t’u ambientuar me ekipin.

Keqardhje që nuk u bashkuat me Partizanin në verë?

V.Murataj: Normalisht që më vjen keq, por më mirë vonë se sa kurrë. Kështu që jam shumë i lumtur që jam pjesë e Partizanit.

PRONONCIMI I SULMUESIT STENIO XHUNIOR

Xhunior: Partizani më ka kontaktuar katër vite më parë. Kisha disa probleme, kisha kontratë dhe Shkëndija nuk më lejonte të largohesha falas. Tani jam këtu dhe jam i lumtur, pasi kam ardhur në klubin më të madh në Shqipëri. Gjithashtu do mundohem të bëj gjithçka që ekipi kërkon nga unë.

Gjendja ime fizike?

Xhunior: Jam stërvitur këto dy muajt e fundit dhe ndihem mirë. Do përpiqem të jap formën maksimale. Shpresoj ta bëj këtë sa më shpejt.