O.Rama: Situata e Malës është një situatë e krijuar si pasojë e një politike të klubit për të investuar te futbollistët e rinj në mënyrë që të bëjë një politikë për rritjen cilësore sportive, por edhe për atë ekonomike. Qëlloi që ishte Mala lojtari i parë që klubi vendosi diçka të tillë. Sigurisht që mund të ishte kushdo tjetër. Ne me Malën kemi punuar që vjet për kontratën e radhës, edhe vjet bëmë hapa të konsideruar përpara. E shohim si investim të klubit, me idenë që do t’i krijonim mundësinë të luante edhe në stadiume më të mira se “Air Albania”. Ne me Malën kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm. Së fundmi kemi arritur akordin që Mala do të jetë, sa i përket rajonit dhe Shqipërisë, vetëm lojtar i Partizanit. Kështu që ka një kontratë dhe do t’i krijojmë mundësinë që të luajë jashtë. Në momentin që do t’i vijë oferta që do të jenë favorizuese për të ardhmen e tij si futbollist. Duke pasur parasysh këtë zhvillim, vlerat që ka, jo vetëm si lojtar, por edhe si person, edhe vlerat që mund të shtojë në vazhdim, vendosëm që ta riintegrojmë në skuadrën e parë që t’i jepet mundësia të kontribuojë për ekipin, pastaj edhe për të ardhmen e vet. Bashkëpunimi është për të ardhmen. Ai e kishte kontratën deri në fund të sezonit. Tani mbetet vetëm formalizimi që të bëhet zyrtarisht pjesë e Partizanit deri në gjetjen e një ekipi elitar në Europë. Nëse i vjen një ofertë nga një kampionat prestigjoz, do i krijojmë mundësinë që ai të shkojë të luajë aty. Të njëjtën gjë kemi edhe me lojtarët më me eksperiencë. Po flasim për Trashin. Edhe atij i kemi thënë shpesh që i ka dyert e hapura nëse vjen një ofertë nga një kampionat prestigjoz, ashtu edhe për Malën, Çinarin, Bardhin e gjithë ata e dinë shumë mirë që s’do kenë pengesë nga Partizani. Klubi ka politikat e veta që shkojnë përtej faktorit sportiv, shkojnë në planin e zhvillimit dhe planit ekonomik. Mos të harrojmë që presidenti Demi bënë një investim të madh për kompleksin. Është një investim që duhet të kthehet. Dhe mënyra më e mirë është përmes talentëve që do të sjellin të ardhura në klubin e Partizanit. Me qëndrimin tonë donim t’i jepnim një shembull për t’u bërë të qartë të gjithëve me të vërtetë duam të krijojmë Partizanin klubin më të mirë në Shqipëri. Të gjithë marrin meritat që i takojnë. Por, të kuptojnë që kur klubi investon, pretendon një të ardhme nga kjo. Jo të gjitha, siç e dini dhe ju më mirë se unë. Jo të gjitha investimet dalin fitimprurëse. Ka nga ata që edhe humbet, apo për arsye të ndryshme ambientimi apo për lojën, apo zgjedhjen taktike nuk japin atë që duhet. Klubi nuk ankohet, merr përsipër gjitha pasojat e kësaj gjëje.

Të fituar apo të humbur?

O.Rama: Në këtë situatë me Malën shpresojmë që të fitojmë të gjithë.

A ka nevojë ekipi për shkundje për këtë derbi?

O.Rama: Është e vërtetë që me sa mbaj mend unë vetëm në fillimet e hershme të epokës Demi, ka qenë që Partizani shkonte në derbi me Tiranën në pozita të disfavorshme në klasifikim. Mbaj mend një derbi, kur Partizani ishte në kategorinë e Parë dhe u habita që kishte aq shumë tifozë. Vijmë në derbi pas një humbje me Tiranën dhe një barazimi zhgënjyes me Bylisin. Besoj se ekipi tashmë e ka kuptuar rrugën që duhet të ndjekë me trajnerin e ri. Ndeshja derbi ka një specifikë të veçantë sepse s’ka nevojë t’u bësh moral. Të gjithë vetë motivohen sepse është ndeshja kartolinë e kampionatit. Pres që stadiumi të jetë plot. Nuk ka rëndësi nëse do të ketë më shumë tifozë të Partizanit apo Tiranës. Një stadium plot është korniza më e bukur në një ndeshje. Të gjithë lojtarët janë të impenjuar. Do të na mungojë Trashi, por megjithatë kemi Hakajn që unë kam besim se do e zëvendësojë në mënyrë dinjitoze. E theksoj, mbase në psikologjinë e lojtarëve ndikojnë shumë gjëra, por mbase ndikon që duan t’i afrohen kreut. Tirana është në një periudhë të mirë, fluturon në krahët e entuziazmit. Por, duhet të dijë që duhet të përballojë një Partizan tejet të motivuar.

Apel për gjykimin?

O.Rama: Unë nuk para ankohem për arbitrat. Ose le të themi se ankohem për arbitrat ashtu si u ankohem lojtarëve të mi kur humbin rastet para porte, apo gabimet në mbrojtje. Unë e theksoj që ndeshjen, pavarësisht dy episodeve të pafata, ne e kishim në dorë ta fitonim. E kishim në dorë, 2-0, aq sa ankohem për ekipin, aq mund të ankohem edhe për gjyqtarët. Deri në momentin kur gjykimi është brenda kornizave të ndershmërisë sportive, këto janë biseda që bëhen për të shtyrë sa më shumë organet kompetente të Federatës për të rritur cilësinë. Nuk besoj se i bën keq arbitrave t’i vësh në dukje gabimet. Përkundrazi i ndihmon. Keni parë që ky kampionat ka qenë i karakterizuar me shumë gabime arbitrare. E përsëris që deri në momentin kur janë pjesë e lojës, brenda kornizës së lojës janë mëse të pranueshme. Kur cënimi i garës sportive ka prapaskena, atëherë është e vërtetë që ngrihet zëri edhe më tepër. Deri tani s’e gjykoj të tillë. Partizani është një emër i madh, është ekipi kampion. Edhe në kuadrin e ankesave janë edhe një herë në kuader të shtytjes për të rritur cilësinë në gjykim, nuk janë ankesa që bëhen për t’u ankuar në rolin e një humbësi sepse s’e kemi zakon ta bëjmë këtë gjë.

Nipi im tifoz me Tiranën?

O.Rama: Nuk e di ta ketë shprehur në rrjetet sociale. E para punës Gregu është sportdashës. Ka luajtur basketboll me Tiranën. Ka një të kaluar me Tiranën. Ka një simpati me Tiranën. Nëse unë do të qëlloj në klub me lojtarët e Tiranës, të gjithë e dijnë që unë shkoj dhe i jap dorën dhe i uroj suksese. Është mëse brenda gjitha normave të shoqërisë. Gregu do ta shohë ndeshjen nesër, mund të jetë ulur dhe afër meje. Po të dojë le të bëjë tifozllëk për Tiranën.


 

TRAJNERI ADOLFO SORMANI

Derbi i dytë nën drejtimin tuaj. Në “Elbasan Arena” keni barazuar 0-0 vite më parë kur drejtonit Partizanin. Si e shihni këtë ndeshje?


Sormani: Unë këtë ndeshje e shoh si një sfidë mes dy skuadrave që luftojnë për titullin kampion. Kjo për mua është shumë e rëndësishme. Unë këtë ia kam transmetuar edhe lojtarëve nga fillimi i javës. Është një ndeshje speciale për tifozët, për ambientin dhe gjithë. Po për mua mbetet një ndeshje për t’u fituar.

Nga çfarë i druheni Tiranës?


Sormani: Respekt për të gjithë kam gjithmonë, por frikë nuk kam absolutisht. Punojmë fort dhe me entuziazëm gjatë kësaj jave dhe do të japin gjithçka në fushën e lojës. Gjithmonë për të fituar këtë takim dhe për të dhënë gjithçka.

Presioni?

 

Sormani: Nuk kam asnjë presion, thjesht unë dua që të fitojmë këtë ndeshje. Duket shumë e thjeshtë kjo frazë, por ne duam të fitojmë këtë ndeshje.

Trajneri që do ngjyrosë qytetin të kuq?


Sormani: Unë dua të fitojë këtë ndeshje për të qënë aty për titullin. Skuadra është gati që të bëjë më të mirën dhe të fitojë ndeshjen.Po për mua s’është një derbi, është një ndeshje e radhës për të marrë maksimumin e pikëve për luftën për titull. Unë e kam deklaruar që derbi është një mundësi për të reduktuar diferencën e pikëve me Tiranën në luftën për kreun.

Formacioni?


Sormani: Nëse doni të dini formacionin, normalisht s’do ua tregoj. Trashi do të jetë një mungesë e sigurtë, një mungesë shumë e rëndësishme duke ditur që nga momenti që kam mbërritur këtu, ai është përmirësuar jashtëzakonisht shumë. Është një nga lojtarët, mbrojtësat më të mirë të rajonit të Ballkanit. Sigurisht që më vjen keq sepse ai mezi e priste të ishte në fushën e lojës në këtë ndeshje kaq të rëndësishme. Trashi na ka kërkuar ta fitojmë këtë ndeshje dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta mbajtur fjalën. Ia kemi premtuar dhe do i dhurojmë një kënaqësi të tillë.

Lojtarët e tjerë ju kanë kërkuar diçka?


Sormani: Jo, jo jam unë ai që i kërkoj lojtarëve. Djemtë janë shumë mirë. Janë të qetë. Janë të përqëndruar për takimin. Mendoj dhe jam i bindur që do të bëjnë mirë.

Mala do të jetë në derbi, është në planet tuaja?


Sormani: Sigurisht që duke marrë parasysh që Mala prej  dhjetorit nuk ka ndeshje zyrtare, sigurisht që do të jetë e vështirë të jetë në formacion. Por duke parë edhe formën fizike të tij, është një lojtar shumë potent, mjaft pozitive ka qenë edhe mikpritja që i ka bërë skuadra në seancën stërvitore. E kuptoj qartë që ka qenë një impakt mjaft i madh, ka një stimul. Mendoj që është shumë e rëndësishme që një i familjes rikthehet dhe bashkohet sërish në familje. Dhe për cilësitë që ka ky lojtar është shumë e rëndësishme për ne, ta kemi në gjirin tonë.


I trembeni ndonjë lojtari të Tiranës?


Sormani: Tirana ka mjaft lojtarë cilësorë, por unë mund të flas vetëm për lojtarët që unë i kam stërvitur vetë si Torasa dhe Batha. I njoh mjaft mirë jo vetëm si futbollistë, por edhe si njerëz. Kam shumë respekt për ta. Nesër do i kemi kundërshtarë dhe ashtu siç e deklaroi edhe drejtori që të mendojmë se do të jetë një stadium i mbushur me mjaft spektatorë. Do të jetë një ndeshje spektakli.