Sa e rëndësishme ishte fitorja në derbi për vazhdimësinë?

Lerda:  Ishte shumë e rëndësishme për sa i përket aspektit psikologjik. Mendoj se ka qenë një fitore që tashmë do të na bëjë të kërkojmë vijueshmërinë e rezultateve duke filluar që nga ndeshja me Teutën.

A konsideroni kundërshtar direkt Teutën?

Lerda:  Në këtë moment Teuta është një skuadër e fortë. Është një ekip që mban vendin e parë dhe e vlerësojmë maksimalisht. Do ta respektojmë në maksimum siç kemi bërë edhe me kundërshtarët e tjerë. Është një rival kryesor por ne do të bëjmë maksimumin për të marrë rezultatin e duhur.

Boldor dhe Telushi, a janë gati për këtë ndeshje?

Lerda:  Të dy lojtarët janë stërvitur mjaft mirë gjatë kësaj jave. Besoj se e kanë lënë pas krahëve dëmtimin që kanë pasur dhe do të jenë gati për sfidën e nesërme.

 

Teutën e keni ndjekur sa Tiranën apo pak më shumë?

Lerda: Për sa i përket ndeshjes me Tiranën kam parë vetëm një të tillë në stadium, ndërsa takimet e tjera i kam ndjekur me video. Ndoshta nuk veçoj lojtarë të një ekipi, por unë arrij t’i shoh të gjitha ndeshjet e kundërshtarëve të mi.

Nga stadium i tejmbushur, rrezikoni të luani pa tifozë. Si do e motivoni ekipin?

Lerda:  Mos luajtja e takimit pa praninë e tifozëve, mendoj që është handikap për mua duke parë që në derbi ishte një shtysë për ne. Shpresojmë që ta luajmë me tifozë. Edhe nëse e luajmë pa ata, unë do e përgatis skuadrën për të luajtur pa praninë e lojtarit të 12-të.

 

A do të jetë gati Trashi?

Lerda:  Të shohim. Të shohim edhe sot në stërvitje. Dje, ai nuk është stërvitur me skuadrën. Megjithatë shpresojmë dhe të jetë gati për nesër.

A është Partizani i derbit më i forti apo ka vend për përmirësim?

Lerda:  Kur fiton një derbi që është shumë i rëndësishëm për klubin, për tifozët, për lojtarët gjithçka flet mirë. Ndoshta nuk vërehen ato problemet e vogla që has skuadra. Për sa i përket aspektit teknik-taktik kemi bërë një ndeshje të mirë. Në aspektin teknik mund të kemi bërë disa gabime. Por, në aspektin psikologjik ishim mjaft mirë.

A e keni provuar ndonjëherë të luani pa tifozë?

Lerda:  Po, e kam provuar të luaj edhe ndeshje të tjera pa tifozë. Është diçka e çuditshme pasi dëgjon vetëm zërat e lojtarëve. Shpresoj që kjo mos të ndodhë dhe FSHF-ja ta pranojë apelimin tonë për të luajtur me praninë e tyre. Edhe nëse luajmë pa tifozë, do të luftojmë vetëm për fitore pasi ky është objektivi ynë.

 

Cila është pika më e fortë e Teutës?

Lerda:  Është një skuadër që ka mesfushë dhe sulm të fortë. Në takimin ndaj nesh do t’i mungojë mbrojtësi i rëndësishëm, por mendoj që në aspektin ofensiv ata janë shumë të fortë.