Transferta në Gjirokastër. Çfarë prisni?

Lerda:Është e vështirë, e dimë. Sa i përket ndeshjes hapëse do donim ta nisnim pozitivisht  me Kukësin, por çdo ndeshje është një histori më vete, e kemi harruar atë dhe tani jemi pozitivë. Po shohim dhe mendojmë pozitivisht për ndeshjen e radhës dhe siç e thatë edhe  ju nuk është e lehtë.

E nisët me një humbje kampionatin, jeni nën presion për të marrë tri pikët ndaj Luftëtarit?

Lerda: Ne e dimë që në çdo ndeshje ka presion dhe në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin. Por, jemi të qetë. Me presion shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Duhet të kemi motivimin e duhur,dhe aspak presion. Sapo kemi nisur kampionatin dhe jemi një grup i ri, kështu që duhet të kemi durim dhe besim, por pa presion.

Partizani ka 22 vite që nuk fiton në Gjirokastër. Ka ardhur momenti për ta thyer këtë tabu?

Lerda: Urojmë dhe duam ta thyejmë këtë tabu negative, sepse kemi nevojë për pikë.

Keni krijuar idenë se cilët do të jenë rivalët tuaj për titull?

Lerda:Jo, jo. Është shpejt. Sipas meje duhet pritur të përfundojë faza e parë njëherë, për më tepër që merkatoja është ende e hapur.

Do të ketë Partizani afrime të tjera në merkato, siç ka bërë Tirana me Vangjelin dhe Lilën ditët e fundit?

Lerda: Unë nuk e di se çfarë bën Tirana, ne shohim punën dhe shtëpinë  tonë. E përsëris që me merkaton merret klubi.

Ju si trajner keni kërkuar vetë lojtarë?

Lerda: E përsëris dhe kjo është e vërteta. Me punët e merkatos merret Klubi. Këto ditë Drejtori Olsi Rama do të kthehet dhe do mbyllim  gjithçka.

Olsi Rama ka udhëtuar jashtë Shqipërisë për ndonjë lojtar?

Lerda: Jo, ai gjendet jasht vendit për arsye personale.

Kundërshtari juaj ka pësuar tri gola. Sa ofensiv do jetë ky Partizan?

Lerda: Çdo ndeshje ka histori më vete.Pashë ndeshjen e tyre me Tiranën dhe ishte e çuditshme. Në 30 minutat e para bënë një ndeshje të mirë, situatat e lojës do të ndryshojnë, ambienti do të jetë ndryshe pasi, ata tani luajnë në shtëpi .

Trajnerët italianë te Partizani nuk kanë pasur jetëgjatësi, mendoni se ju do e thyeni këtë rekord jetëgjatësie tek kjo skuadër?

Lerda: Ndoshta e mendoni ju. Unë e mendoj pozitivisht,mendoj për ndeshjen e radhës çfarë do vijë më vonë do të vijë. Nuk varet nga unë.