MARK IULIANO: DUHET TE RIKTHEHEMI TEK REZULTATET POZITIVE ,  KRITIKAVE DUHET TI PERGJIGJEMI ME PARAQITJET NE FUSHE   

Iuliano: Sigurisht, skuadra sa vjen e po tregon rritje nga java në javë. Në ndeshjen ndaj Flamurtarit ne vinim pas tri fitoresh radhazi dhe sigurisht do të tentonim të ruanim këtë ecuri pozitive. Mendoj se loja që skuadra zhvilloi ndaj Flamurtarit ka qenë mjaft e mirë, por na mungoi shënimi i golit dhe rezultati. Pësuam këtë humbje, që na ka zhgënjyer të gjithëve. Edhe lojtarët janë të vetëdijshëm për rezultatin që kemi arritur në ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit, por secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Mendoj se duhet të rikthehemi te rezultatet pozitive. Në aspektin psikologjik, skuadra nuk është dhe aq mirë, sidomos pas humbjes që pësuam ndaj Flamurtarit.

Sidoqoftë, ne tashmë duhet të ringrihemi, të gjithë të japin më të mirën, t’u rikthehemi rezultateve pozitive. Kjo është detyra kryesore e jona. Më vjen keq për lojtarët, për tifozët, për skuadrën, sa i përket rezultatit të ndeshjes së fundit, sepse nuk kemi arritur të kënaqeshim. Në aspektin personal nuk qahem, sepse jam këtu për të punuar, për të bërë më të mirën. Më vjen në ndihmë eksperienca që kam pasur në botën e futbollit.

 

A ndihem nën presion pas fjalëve të Moxhit?

Iuliano: Sigurisht, në çdo profil pune, presioni është i madh. Sidomos në profesionin tonë, ku presioni është javë pas jave. Megjithatë, ne shpresojmë të punojmë shumë, të përmirësojmë aspektin sa i përket shënimit të golave. Finalizimi është “thembra e Akilit”, që po na mundon gjatë këtyre javëve kampionat.

Ne duhet të punojmë akoma më shumë, duhet të përmirësohemi më shumë. Në disa episode, ndoshta edhe fati duhet të jetë përcaktues. Përgjigjet të tjerëve duhet t’ua japim në fushën e lojës, duke punuar më shumë në stërvitje dhe duke marrë rezultate pozitive në fushën e blertë.

 

Hendeku i madh mes Partizanit dhe Skënderbeut?A është i rikuperueshëm gjatë sezonit?

Iuliano: Sa i përket pikëve dhe klasifikimit të momentit, sigurisht që diferencat janë të mëdha. Unë e shoh këtë në një tjetër aspekt. Ne sapo kemi filluar një projekt të ri, në krahasim me Skënderbeun, që prej disa sezonesh vazhdon të jetë i qëndrueshëm dhe me të njëjtin grup lojtarësh. Nuk kemi pasur në dispozicion disa prej lojtarëve tanë, të cilët kanë mbërritur merkaton e verës. Kjo diferencë mes nesh dhe Skënderbeut mendoj se është vetëm në aspektin e pikëve, sepse në lojëra po tregojmë ngritje nga java në javë.

 

Kamza, më lart se ne në klasifikim, me ish-lojtarë të Partizanit, si Racic apo Plaku?

Iuliano: E kam ndjekur Kamzën përgjatë gjithë kësaj kohe. Sigurisht, është një skuadër që shfaq futboll të qëndrueshëm, ka një grup mjaft kompakt, por ka edhe disa individë, që mund të vendosin fatin e një ndeshjeje. Në krahasim me ne, Kamza ka pasur një avantazh, vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Ne kemi pasur luhatje në rezultate. Eshtë një skuadër që e kam studiuar,kundërshtar i vështirë. Ne duhet të bëjmë maksimumin, të japim më shumë se 100 për qind në fushën e lojës për të nxjerrë edhe aspektet cilësore që lojtarët tanë disponojnë. Ne do të marrim masat tona, duke parë se Kamza disponon dy sulmues, si Plaku dhe Racic, që më parë kanë luajtur edhe me Partizanin. Do të marrim masat tona për t’i neutralizuar të dy këta sulmues dhe për ta goditur Kamzën në pikat e saj të dobëta.

 

Formacioni ?

Iuliano: Ne kemi disa mungesa, që ju i dini, por më shumë preferoj të flas për lojtarët që kam në dispozicion, jo për të tjerët. Eshtë disi interesante, ngaqë do të luajmë në Tiranë, por në transfertë.

Do të luajmë disa qindra metra larg fushës ku stërvitemi, ndaj një kundërshtari me të cilin përshëndetemi përditë, sepse stërvitemi në të njëjtin kompleks. Kam shumë miq te Kamza, përshëndetemi përditë, por kur vjen puna te fusha e lojës, secili e kërkon fitoren për vete. Kamza do të synojë maksimumim, ashtu sikurse edhe ne. Shpresoj që Partizani ta kalojë me sukses këtë ndeshje dhe të marrë tri pikët.

 

Si e keni përgatitur skuadrën taktikisht?

Iuliano: Në fakt, nuk është natyrale kur dy skuadra, që do të ndeshen në fundjavë, stërviten në të njëjtën fushë, ndoshta edhe në të njëjtin orar. Nuk është aspak e lehtë ta përgatitësh skuadrën taktikisht, ose teknikisht, se si do të zbresë në fushë përballë një kundërshtari, që stërvitet në anën tjetër të fushës, ku sigurisht të dy palët shohin me detaje njëri-tjetrin. Sa do ta pres Çanin? E kam thënë edhe më parë se nuk dua të flas, sa i takon gjendjes, apo kur do të rikthehet Çani. Vetëm në momentin kur të jetë 100 për qind për lojë, atëherë do të flas. Kjo vlen jo vetëm për Çanin, por edhe për të tjerët, që nuk kanë debutuar ende me Partizanin. Nuk dua të flas as për Sukajn, apo ndonjë tjetër, që të paktën nuk do t’i kem të gatshëm për ndeshjen e radhës. Cilido lojtar do të luajë vetëm kur të jetë në 100 për qindëshin e vet. Diçka të tillë e bëmë edhe me Asanin, të cilin e pëlqej shumë, që debutoi ndaj Flamurtarit. Gradualisht, kur unë të kem përgjigjet e duhura, se lojtarët e paaktivizuar ende do të jenë të gatshëm, do t’u jepet mundësia.

 

Presidenti i Kamzës, një tifoz i zjarrtë i Partizanit?

Iuliano: E di këtë gjë, por do të thoja se është e pamundur që të flasim në këtë moment, në të cilin gjendemi, pasi do të luajmë në fundjavë. Me siguri, edhe pse tifoz i zjarrtë i Partizanit, në këtë moment ai ka dëshirë që të fitojë skuadra që financon. E rëndësishme është që të mendojmë për ndeshjen tonë, ta kalojmë me sukses atë. Të marrim tri pikët, pastaj, kur të mbyllet loja, jemi sërish miq, do të flasim me presidentin e Kamzës dhe të tjerët.