EUROPA LEAGUE
FK PARTIZANI 0 – 1 FC SHERIFF TIRASPOL
KONFERENCA PËR SHTYP E TRAJNERIT FRANKO LERDA

Lerda: Humbëm takimin sepse ata shënuan një gol. Ne nuk e bëmë në disa raste që patëm. Nuk e nisëm mirë ndeshjen. Në 10 minutat e para skuadra ishte e kontraktuar, edhe terreni nuk na ndihmoi të dilnim në lojën tonë. Me kalimin e minutave, u përmirësuam dhe dolëm në lojën tonë.

Është një hap pas kjo ndeshje e sotme, duke e krahasuar me dy ndeshjet ndaj Karabakut?

Lerda: Ndaj Karabakut ne menduam dhe bëmë ndeshjen tonë. Sot, nga pësimi i golit të shpejtë na u prishën planet tona dhe ekuilibrat. Nuk arritëm që repartet të lidheshin gjatë 90 minutave. Nuk ishin në nivelin që e dua unë skuadrën.

Pse nuk po shënon Partizani?

Lerda: Nuk ka asgjë. Skuadra thjesht nuk po arrin të shënojë. Ky është futbolli.

Sa mendoni se do e ktheni ndeshjen në Moldavi?

Lerda: Unë besoj, sepse kemi parë që kjo skuadër ka vlera për të përmbysur këtë rezultat në Moldavi. Ajo që duhet të bëjmë, është të minimizojmë gabimet dhe të shfrytëzojmë me gol rastet që na paraqiten.

45 minutat e para, asnjë ngritje nga dy mbrojtësit e krahut? Ishit të kushtëzuar nga kundërshtari, apo strategji e juaja?

Lerda: E thashë, në fillim patëm disa vështirësi, ishim të kontraktuar sepse u goditëm edhe shumë shpejt. Këto sollën edhe disa gabime teknike.