Dy barazime në ndeshjet e fundit – 
Daja: Është ndeshja e dytë që nuk shënojmë gol dhe nuk pësojmë gjithashtu. Janë dy ndeshje që nëse i referohemi kampionatit të vjetshëm, janë ndaj Tiranës dhe Teutës, njëra fituese e kampionatit tjetra e Kupës.
Me kundërshtarë të plotësuar edhe në merkato do të thoja që janë dy barazime, që ndoshta nga rezultati dhe mos shënimi i golit nuk është problem i madh, por mënyra sesi kemi luajtur edhe në raport me kundërshtarin, se edhe ata nuk kanë bërë ndonjë gjë në raport me ne sepse as ata nuk kanë shënuar, do të thoja se është ndjerë edhe lodhja fizike, që e kemi parë sepse kemi kontingjent të limituar.
Nuk dua ta përdor më këtë shprehje, por që nga java në javë do shohim që do kemi edhe mungesa, siç mund të kemi edhe nesër në ndeshjen me Vllazninë, prandaj e kemi pasur të vështirë të shkojmë te goli sepse nuk kemi qenë të freskët për t’i dhënë shpejtësi manovrës sulmuese.
Vllaznia – 
Daja: Deri tani Vllaznia ka bërë kampionat shumë të mirë si në marrjen e pikëve, edhe në lojë. Kanë kontingjent thuajse të dubluar. Kanë entuziazëm dhe e shprehin këtë edhe në fushë, kështu që Vllaznia meriton vendin e parë sepse përveç golave kanë luajtur edhe bukur.
Duhet marrë seriozisht sepse pavarësisht se ka pasur ndonjë luhatje të vogël edhe prej faktit se luan futboll të hapur. E kishte këtë luhatje ndaj Kukësit, por duhet marrë shumë seriozisht.
Synoni fitoren – 
Daja: Partizani është ekip, që edhe sikur të jenë në fushë me U19 futet në lojë për ta fituar ndeshjen. Pastaj klubi ka nivelin të pranojë çdo rezultat që prodhon fusha. Shkojmë pë tre pikët. Nëse do zgjidhja mes humbjes dhe barazimit, më mirë do ishte barazimi, por në start futemi për fitore sepse nëse futemi për barazim është e vështirë ta arrish edhe këtë rezultat.
Ndeshja – 
Daja: Po t’i referohemi këtyre dy ndeshjeve të fundit ne kemi pasur situatat tona përballë këtij kundërshtari, ashtu siç mund të kishim fituar edhe mund të kishim humbur. Kemi mundësinë të shkojmë para dhe do e tentojmë me gjithë fuqinë.
Pas Vllaznisë ka një pushim 5-6 ditor, që neve na duket shumë i gjatë prej intensitetit të lartë të ndeshjeve. Besoj se në këtë ndeshje nuk duhet të kursehemi sepse kemi kohë për ndeshjen e ardhshme. E vlerësojmë drejt Vllazninë dhe shkojmë në Shkodër duke ndryshuar disi strategjinë dhe manovrën dhe të marrim më të mirën me grupin dhe kondicionin që kemi.
Merkato dhe rëndimi terreneve– 
Daja: Nuk jemi në raport të drejtë me Kundërshtarët. Vëmendja jonë është në ekipin e parë, por edhe ekipi B dhe U19 kanë mangësi lojtarësh dhe ne po e përballojmë kampionatin me limite. Rëndimi i terreneve dhe mungesat do e rëndojnë më shumë situatën dhe shpresoj që dëmi të jetë sa më i vogël.
Ndryshime në formacion – 
Daja: Do ndryshoj formacionin jo prej ngarkesave, por sepse disa lojtarë dje dhe pardje kanë bërë stërvitje të diferencuar. Nuk do rrezikojmë me asnjërin. Lojtarë si Asani dhe ndonjë tjetër duhet të jenë në kushtet optimale për të ndihmuar ekipin dhe shmangur dëmtimet.
Mbrojtja më e mirë – 
Daja: E di këtë fakt, por unë në filozofinë time pëlqej lojën sulmuese dhe në ekipet e mëparshme që kam pasur kemi qenë mbrojtja më e mirë sepse kemi mbajtur dhe qarkulluar topin mirë dhe kemi qenë agresivë në tranzicion. Kështu mbrojtja më e mirë është sulmi dhe këtë filozofi e kam edhe unë.
Gjyqi për hapjen e merkatos – 
Daja: Në klubin tonë i ndajmë punët. Jemi të interesuar sepse në bazë të vendimit të gjyqit mund të kemi ndryshime në merkaton e janarit. Por që ka departament juridik klubi që po merret intensivisht.
Kanë pajtuar edhe një zyrë avokatie të huaj për këtë çështje dhe shpresoj të vijë vendim i drejtë sepse nuk shoh gabime nga ana e klubit. Besoj janë marrë seriozisht të gjithë për të bërë të mundur që në fund gjyqi të jetë në favorin tonë.