Daja: Ndaj Teutës mendoj se nuk do të ndryshojmë shumë, edhe pse kemi nevojë për rotacion. Do ketë lëvizje të limituara, ose mund të luajmë me të njëjtin formacion. Kemi një séance të fundit dhe më pas do të vendosim bashkë me stafin. Ajo që do të ndryshojë është manovra në fazën e sulmit, kjo jo vetëm sa u takon sulmuesve por gjithë ekipit në aksionet ndërtuese.

 

Teuta?

Daja: Është një ndeshje që do të zgjidhet nga episodet, për vetë faktin që Teuta nuk ka humbur ende dhe ne kemi shumë ndeshje që nuk pësojmë. Kjo do të thotë që të dyja ekipet në fazën e mbrojtjes, për mënyrën se si luajnë, do jetë një ndeshje e luftuar në mesfushë. Kjo do të sjellë vështirësi për të dyja skuadrat në ndërtimet e aksioneve sulmuese. Ndeshja mund të zgjidhet me episode, pasi u bënë disa ndeshje radhazi dhe u pa që po shënohet pak javën e kaluar. Kondicioni nuk është ai i fillimit të kampionatit.

Momentalisht, me ngjeshjen e klasifikimit, më e rëndësishme është marrja e tre pikëve. Nëse merret me lojë të bukur do të thotë që ke më shumë elementë për vazhdimësinë, sepse lojrat e mira do ta çojnë ekipin drejt marrjes së pikëve. Nesër, duke qenë ndeshje e vështirë, marrja e 3 pikëve është gjëja kryesore për të cilën futemi në fushë kundër Teutës.

Teuta ka deklaruar si objektiv titullin kampion

Daja: Jam këtu të flas për pjesën e Partizanit, Teuta i di vetë objektivat e veta. Kanë të drejtën të kenë objektiva maksimale, pasi nga sezoni kaluar janë fitues të Kupës së Shqipërisë dhe kanë ruajtur grupin. Edhe pse nuk kanë fituar shumë, ata janë një ekip shumë i vështirë për t’u mundur. ata e kanë zero kolonën e humbjeve dhe do të thosha se nuk mund të flas për objektivin e Teutës. Objektivi  i Partizanit është që ti marrim ndeshjet njëra pas tjetrës, duam të rritemi dhe të vazhdojmë të përmirësohemi dhe të automatizojmë veprimet në lojë që në fund të kampionatit të pozicionohemi sa më mire.

 

 

Ndryshime nga formacioni që luajti në derbi?

Daja: E thashë edhe më lart. Kemi edhe një seancë sot, por nuk kemi vendosur. Ka pak kohë për ta përgatitur ndeshjen me detaje, qoftë nga ana teknike, qoftë në strategji. Rotacioni bëhet edhe për të motivuar ata që kanë luajtur pak. Do të thoja, duke menduar pikat e forta të Teutës, do na duhet të tregohemi të kujdesshëm. Sot vendosim nëse ndryshojmë formacionin ose jo.

Ju favorizon “Elbasan Arena”

Daja: Fusha në Elbasan favorizon ekipin më të mirë. Është në favor të ekipit që komandon lojën dhe shpresoj të jemi ne. Partizani ka luajtur 4 ndeshje në transfertë dhe dy në Elbasan , “Elbasan Arena” është stadium ku ne presim ekipet kundërshtare, ndaj nesër 3 pikët me Teutën kanë rëndësi. Pas Vllaznisë kemi shumicën e ndeshjeve në shtëpi.

 

Golat në fund?

Daja: Nuk kemi nisje të avashtë, por ka intensitet ndeshjes dhe pamundësi për të studiuar kundërshtarët në detaj. Nuk ke kohë dhe pak informacion për kundërshtarin. Ke vetëm dy seanca dhe nuk i kap dot detajet. Bëhet ajo nisje për të studiuar kundërshtarin dhe për të parë pikat e forta dhe të dobëta.

 

I kënaqur me Bardhin dhe rikthimin e Asanit?

Daja: Nëse kemi ecuri pozitive, e gjithë merita është e lojtarëve. Ata kanë sakrifikuar duke luajtur edhe në pozicione jo natyrale. Është e gjithë lojtarëve, pasi kemi vetëm katër mbrojtës dhe nuk kemi pësuar. Kjo nënkupton që faza e mbrojtjes ka funksionuar mirë dhe kjo për meritë të gjithë djemve. Bardhin po luan në një pozicion të ri, por do kohë të përshtatet. Asani ka potencial, është nga më të mirët e ekipit në aspektin individual bashkë me Melon. Dëmtimi e penalizoi. Shpresojmë që në momentin që do vij në gjendjen e tij më të mire, mund ta nisë nga fillimi, pasi na duhet i gjithë potenciali i këtyre lojtarëve në fushë.