Stërvitja në një kompleks?

Daja: Nuk është normale, ndodh vetëm në Shqipëri. Nuk ndodh në ndonjë vend tjetër. Ndoshta këtu mundet që të gjejmë momentin, që personat përgjegjës për punimet në kompleksin e ri të Partizanit, pra qeveria, mund të mbështesë një investim që presidenti Demi kërkon ta bëjë për të gjithë komunitetin e Tiranës, jo vetëm për Partizanin. Kështu u jepet jetë edhe investimeve të tjera, që shmangin edhe këto stërvitje të përbashkëta që nuk janë normale.

Gjendja e skuadrës?

Daja: Grupi është i plotë, i vetmi shqetësim është që stërvitemi në një orar me pak diferencë me kundërshtarin. Nuk e zhvillon dot manovrën taktike. Duhet të jemi më të vëmendshëm se në dy ndeshjet e para, pasi edhe Kukësi do të reagojë. Nëse duam të vazhdojmë dhe të shkëputemi me një rival si Kukësi, duhet të jemi seriozë dhe ta shtojmë diferencën e pikëve. Vëmendja duhet të jetë në maksimum dhe të sakrifikojmë të gjithë për të shkuar drejt 3 pikëshit.

Nga episodet duhet të kemi vëmendje. Të dyja ekipet kanë lojtarë me teknikë të lartë dhe nëse ulet vëmendja loja mund të zgjidhet edhe nga episodet. Lojtarët me kualitet duhet të kenë sa më pak hapësira, pasi do të bëhej edhe më e vështirë.

Plotësimi i ekipit është një bonus për ne. Veç treshes Çinari, Zhunior dhe Murataj, ka edhe të tjerë që ende nuk kanë kapur formën maksimale. E mira është se ka rivalitet në stërvitje dhe i afrohet garës. Kjo është arsyeja pse nuk kemi humbje gjatë këtij viti.

Të shtatë ekipet që janë me një diferencë pikësh jo shumë të madhe, janë në garë. Rolet ndërrohen shpejt dhe duhet të kemi vazhdimësi. Sigurisht Kukësi është një rival i joni, pasi nuk kemi ndonjë diferencë shumë të madhe që të kemi një qetësi të madhe.

Dueli Daja-Josa?

Daja: Nesër, nëse do kishim një ambient ku nuk do shihnim seancat e njëri-tjetrit, do të ishte edhe një duel trajnerësh. Por në këtë ambient të hapur çdo gjë e kanë në dorë lojtarët. E gjitha merita e pozicionit në vend të dytë është meritë e lojtarëve.

Nuk e di se çfarë ndodh në boks, por e imagjinoj dhe po e spostoj në futboll. Do ruhemi të mos marrim shumë grushte, duke kundërsulmuar që pastaj të shkojmë drejt nokautit.

 

Formacioni?

Daja: Nuk është e vështirë t’i zgjedh titullarët, do bëjmë rotacion që t’i kemi të gjithë të gatshëm. Ata që kanë ardhur nga stoli kanë treguar formë të mirë. Kanë punuar fort dhe e kanë gjetur kundërshtarin më të lodhur. Ky lloj rivaliteti dhe rotacioni do jetë i pranishëm edhe në vazhdimësi.